Katy Perry ndez Sunny Hill, ngre flamurin e Kosovës në skenë

Mijëra të rinj janë mbledhur në Kosovë për edicionin e këtij viti të Sunny Hill, festivalit më të madh të muzikës në Europën Juglindore. Mbrëmja e 31 korrikut u dominua nga performanca spektakolare e yllit amerikan Katy Perry, e cila ngriti flamurin e Kosovës gjatë koncertit të saj.
Artistja u shfaq në skenë e veshur me një kostum astronauti, ndërsa akrobatët i dorëzuan flamurin e Kosovës, të cilin ajo, si pjesë e performancës artistike, e “vendosi në hënë”. Momenti u prit me ovacione nga publiku dhe u kthye menjëherë në një nga skenat më të komentuara të mbrëmjes.
“Përshëndetje Prishtinë. A jeni shqiptarë, a do të festoni me mua?”, ishte përshëndetja e parë e Katy Perryt për mijëra fansat e pranishëm, të cilët interpretuan së bashku me të hitet më të njohura gjatë gjithë koncertit.
Në skenë iu bashkua edhe një vajzë 10-vjeçare, ndërsa artistja shfrytëzoi rastin për të falënderuar Dua Lipën për ftesën.
“Mikja ime Dua Lipa më ka thënë se ky është festivali më i mirë në Europë dhe kam gjithë verën që pres këtë moment”.
Përpara ngjitjes së Katy Perryt në skenë, atmosferën e elektrizoi këngëtarja shqiptare Dhurata Dora, e cila u prit me brohoritje të forta nga publiku.
Sunny Hill do të vijojë edhe gjatë fundjavës me performanca të artistëve të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Lewis Capaldi dhe Martin Garrix. Në Kosovë ndodhet edhe Dua Lipa, organizatorja e festivalit.











