I vodhën këngë të papublikuara, Ariana Grande padit hakerët

Ariana Grande ka ndërmarrë veprime ligjore kundër personave që dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në llogaritë dixhitale të bashkëpunëtorëve të saj, duke përvetësuar materiale të papublikuara dhe përmbajtje private.
Padia u depozitua të hënën në një gjykatë të Los Anxhelosit. Në dokumentet gjyqësore, autorët nuk identifikohen me emër, por figurojnë si “John Doe”, pasi ekipi ligjor i artistes synon t’i identifikojë gjatë procesit gjyqësor për t’i mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre.
Sipas mediave amerikane, përfshirë Billboard dhe The Hollywood Reporter, hakerët dyshohet se kanë depërtuar në llogaritë online të personave që punonin me Granden, duke shkaktuar rrjedhjen e rreth 45 këngëve të papublikuara vetëm gjatë vitit 2023.
Në një prej rasteve të përmendura në padi, një nga personat e dyshuar thuhet se u shtir si fotograf për të mashtruar një punonjës dhe për ta bindur të dërgonte fotografi të artistes. Përveç këngëve, dyshohet se janë vjedhur edhe foto private, materiale nga prapaskenat e regjistrimeve muzikore dhe videoklipeve, të cilat më pas janë shitur në “dark web”.
Në padi thuhet se shkelja e privatësisë i ka shkaktuar Ariana Grandes “dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme”, duke ndikuar si në jetën personale ashtu edhe në karrierën e saj artistike.
Dokumenti ligjor thekson se publikimi i paautorizuar i këtyre materialeve përbën një shkelje të identitetit krijues të artistes dhe të marrëdhënies së saj me fansat.
“As Ariana Grande dhe asnjë person tjetër, publik apo privat, nuk duhet të përballet me shkelje të tilla të privatësisë nga individë që veprojnë në fshehtësi dhe shkaktojnë dëme përmes teknologjisë pa u mbajtur përgjegjës”, thuhet në padi.
Grande mbetet një nga emrat më të suksesshëm të muzikës pop, me shtatë albume që kanë arritur vendin e parë ose të dytë në klasifikimet amerikane, 20 nominime për çmimin Grammy dhe tre fitore.
Kënga e saj më e re, “Hate That I Made You Love Me”, renditet aktualisht ndër më të dëgjuarat në Spotify në nivel global dhe është pjesë e albumit të fundit “Petal”, i publikuar javën e kaluar.
Përveç muzikës, Grande ka zgjeruar aktivitetin edhe në kinematografi. Ajo interpretoi një nga rolet kryesore në filmin “Wicked” dhe vazhdimin “Wicked: For Good”, ndërsa u shfaq edhe në filmin “Focker-in-Law”, pjesë e serisë “Meet the Parents”.
Në vitin 2027, artistja do të interpretojë në muzikalin “Sunday in the Park with George” në teatrin Barbican të Londrës, përkrah aktorit Jonathan Bailey. Ndërkohë, më 15 gusht ajo do të nisë një seri prej 10 koncertesh në O2 Arena në Londër.











