Arrestohet argjendari në Lezhë, policia sekuestron 3.3 kg flori dhe 133 ora luksoze me vlerë 300 mijë euro

Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se tregtonte në argjendarinë e tij bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara si të vjedhura jashtë vendit.
Në pranga ra shtetasi Arbër Margjeka, 39 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi rreth 3.3 kilogramë bizhuteri floriri dhe 133 ora dore luksoze, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 300 mijë eurosh.
Sipas Policisë, 39-vjeçari dyshohet se siguronte përmes kontrabandës bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të cilat më pas i tregtonte në argjendarinë e tij në qytetin e Lezhës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në biznesin e 39-vjeçarit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: rreth 3.3 kilogramë bizhuteri floriri, pa dokumentacion që vërtetonte origjinën e tyre; 133 ora dore të markave luksoze, gjithashtu pa dokumentacion shoqërues; 270.500 lekë dhe 2.700 euro, të dyshuara si të ardhura nga kjo veprimtari.
Sipas autoriteteve, vlera e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.











