Të dyshuar për vrasjen e një personi në Shijak në janar të këtij viti, lihen në burg dy autorët

Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së një 45-vjeçari, ngjarje e ndodhur në janar 2026 në Shijak.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë vënë në pranga shtetasit I. F., 38 vjeç, dhe D. F., 36 vjeç, kushërinj dhe banues në Shijak. Masa e sigurisë ishte caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, dy të dyshuarit ishin shpallur në kërkim pasi më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, të cilin e kanë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, 45-vjeçari ka humbur jetën disa ditë më vonë në spital.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.











