“Protesta” e Zvërnecit, një çiban prorus për të zbutur frustrimin e Putinit

Pas kundërshtimit të projektit turistik në Nartë-Zvërnec, po shfaqen sërish të njëjtët aktorë që prej vitesh rreshtohen kundër projekteve strategjike amerikane, duke ngritur pikëpyetje mbi motivet dhe financimet
E gjithë skena që po shpërndahet në rrjetet sociale nga Narta dhe Zvërneci nuk është aspak një protestë spontane e qytetarëve të zonës.
Përkundrazi, kemi të bëjmë me mobilizimin e disa personazheve që, “rastësisht”, dalin gjithmonë në skenë sa herë bëhet fjalë për projekte të rëndësishme amerikane apo investime strategjike me ndikim rajonal.
Mjafton të shohësh grupin e protestuesve dhe të rikthehesh në vitin 2013. Pikërisht të njëjtët emra, si Sazan Guri apo Altin Goxhaj, organizuan protestën e parë në historinë e Shqipërisë përpara Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në atë kohë, ata kundërshtonin shkatërrimin e armëve kimike të regjimit të Bashar al-Asadit, një proces që do të dobësonte patronazhin rus mbi diktatorin sirian.
Edhe sot, po të njëjtët personazhe dalin kundër një projekti në fushën e turizmit, duke lidhur fije që në realitet nuk afrohen fare me njëra-tjetrën.
Ata pretendojnë se pas investimit qëndron Izraeli, ndërkohë që kemi të bëjmë me një fond investimi ku marrin pjesë biznesmenë të njohur arabë, partnerë amerikanë si Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe partnerë vendorë që zotërojnë titujt e pronësisë.
Në Zvërnec nuk ekziston ndonjë konflikt i madh pronësor, përveç pretendimeve të zakonshme mes familjarëve për dokumente pronësie. Kjo do të thotë se kontratat janë lidhur me pronarë privatë dhe mbi prona private. Nuk i është marrë prona askujt dhe askush nuk po shpallet pronar me vendim politik.
Kemi të bëjmë me një investim që mbështetet mbi bazë ligjore.
Por çështja më e rëndësishme nuk është kjo.
Pyetja është: pse kundërshtohet një investim në zonën e Nartës dhe Zvërnecit, një zonë që historikisht nuk ka pasur as zhvillim të madh turistik dhe as perspektivë reale ekonomike?
Arsyeja e vetme e pranueshme do të ishte mbrojtja e mjedisit nga natyralistë që duan ta ruajnë territorin të paprekur. Nëse ky do të ishte debati, atëherë mund të diskutohej normalisht mbi ndikimin mjedisor, kapacitetet e projektit dhe pasojat ekologjike.
Por nuk jemi këtu.
Sepse shumica e personave që po drejtojnë protestën po luajnë me gogolin e zakonshëm: “po investon Izraeli”.
Gjithçka kur në fakt investitorët janë amerikanë dhe arabë me aktivitet ekonomik në Katar dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Atëherë pse ky kundërshtim?
Sepse, logjikisht, një projekt i tillë mund të shndërrohet në një konkurrent serioz për turizmin elitar të Greqisë, nga Korfuzi deri në bregdetin verior grek. Një zhvillim i tillë do të tërhiqte turistë me të ardhura të larta dhe kapital të ri në Shqipëri.
Kjo prek interesa të tjera rajonale.
I intereson Serbisë, e cila e konsideron fuqizimin ekonomik të Shqipërisë si një faktor që dobëson projektet e saj rajonale. I intereson gjithashtu qarqeve që preferojnë orientimin e kapitaleve të Lindjes së Mesme drejt Malit të Zi dhe zonave të tjera ku ndikimi serbo-rus mbetet i fortë.
E gjithë kjo protestë nuk duket as si akt qytetar dhe as si akt politik klasik. Pas saj nuk qëndron ndonjë parti serioze, përveç faktorëve periferikë e irelevantë si Arlind Qori. Ajo ngjan më shumë me një lëvizje me sfond të fortë gjeopolitik.
Dhe këtu lind pyetja: kush i financon këta protestues, që çuditërisht sa herë aktivizohen, “rastisin” pranë interesave ruse dhe serbe? Në protestat për “shpëtimin” e Bashar al-Asadit, paratë, sipas pretendimeve të atëhershme, u morën cash në një karburant pranë Tuzit. Po sot? Janë marrë sërish cash, apo përmes lidhjeve offshore? Duket më shumë kjo e dyta. Dhe gjurmët, siç thuhet, janë kapur tashmë nga agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, por sidomos nga partnerët ndërkombëtarë











