Kthyen apartamentin e marrë me qira në ‘fole’ prostitucioni, pranga organizatores dhe dy shtetaseve kolumbiane në Durrës

Policia e Durrësit ka zbuluar një apartament që përdorej për ushtrim prostitucioni, duke çuar në arrestimin e tre shtetaseve nga Kolumbia, mes tyre edhe organizatorja e dyshuar.
Operacioni, i koduar “Storm 18”, u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një hetimi njëmujor me metoda speciale.
Në përfundim të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasja kolumbiane M. L., 26 vjeçe, e dyshuar si organizatore e aktivitetit. Po ashtu, u arrestuan edhe dy shtetase të tjera kolumbiane, A. G., 33 vjeçe dhe B. A., 26 vjeçe, për ushtrim prostitucioni. Ndërkohë, tre persona të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale.
Sipas hetimeve, M. L. kishte marrë me qira prej rreth një muaji një apartament në lagjen nr. 1 në Durrës, të cilin e kishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit nga dy bashkëkombëset e saj, ndërsa dyshohet se edhe vetë ushtronte këtë aktivitet në të njëjtin ambient.
Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale tre pasaporta, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, një leje drejtimi dhe tre telefona celularë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.











