Vdekja e 27-vjeçares shqiptare në Egjipt, mamaja akuzon bashkëshortin e vajzës: Iu dhanë medikamente për ndërprerjen e shtatzënisë

Hetimet vijojnë mbi vdekjen e një 27-vjeçareje me origjinë shqiptare, e cila humbi jetën në një spital në Aleksandria të Egjiptit më 20 gusht 2025, në rrethana që mbeten ende të paqarta.
Sipas hetuesve, po shqyrtohet mundësia që vajzës t’i jetë administruar një dozë e lartë medikamenti me qëllim ndërprerjen e një shtatzënie, ndërsa disa burime flasin për një shtatzëni në muajin e shtatë, informacion që mbetet ende nën verifikim.
Mamaja e 27-vjeçares ka bërë kallëzim në polici kundër bashkëshortit të vajzës, duke e akuzuar atë se nuk ka reaguar në kohë për ta dërguar në spital.
Sipas pretendimeve të tyre, vetëm pas këmbënguljes së vazhdueshme dhe kërcënimit të nënës se do të njoftonte policinë, gruaja është dërguar për ndihmë mjekësore.
Në qendër të akuzave është edhe dyshimi se 27-vjeçares i është administruar një medikament pa mbikëqyrje mjekësore, i cili në doza të larta mund të shkaktojë pasoja të rënda për organizmin.
Autoritetet kanë sekuestruar telefonin e viktimës dhe kartelat mjekësore nga një spital në Egjipt, ndërsa po shqyrtohen edhe dokumente të tjera mjekësore.
Po ashtu, trupi i të ndjerës po i nënshtrohet autopsisë në një poliklinikë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Përfaqësuesi ligjor i familjes ka deklaruar se 27-vjeçarja dyshohet se është intoksikuar nga një medikament i dhënë jashtë çdo strukture spitalore, në doza të rrezikshme për jetën.
“Pas injeksioneve ajo u përkeqësua, por nuk u dërgua menjëherë në spital,” thuhet në deklarata.
Prokuroria ka hapur një dosje hetimore për vrasje nga pakujdesia, ndërsa familja kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësve të mundshëm.
Rasti mbetet nën hetim dhe autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja tragjike.











