Prokurori i SPAK zbulon rrjetet mashtruese online: Si call center-at kriminalë gënjejnë shqiptarët dhe europianët

Si një prokuror i posaçëm në SPAK që ka drejtuar hetime ndërkombëtare, Ened Nakuçi tregon për ekzistencën e dy lloje call center-ash, ku më problematikët janë ato fantazmë.
Nakuçi shprehet: “Në eksperiencën e punës tonë rezulton se një pjesë e tyre kanë qenë të ligjshme dhe kanë qenë të regjistruara pranë zyrave përkatëse, por bashkë me të kryejnë edhe mashtrimin kompjuterik të shtetasve evropianë. Tipologjia tjetër pa u regjistruar në organet tatimore, pa u raportuar”.
Sipas tij, shqiptarë, izraelitë, italianë dhe ukrainas janë pjesë e hetimeve si pjesëtarë të rrjeteve me aktivitet ndërkombëtar.
Ndërkohë, Florenc Hidri, profesor i teknologjisë së informacionit, shpjegon se bëhet fjalë për grupe të strukturuara kriminale: “Këtu kemi të bëjmë me grupe miks, jo thjesht me një aktivitet call center, por me një aktivitet kriminal, ku individë të ndryshëm kanë role të caktuara, nga shitësit virtualë që ofrojnë lista me numra telefoni, deri tek ata që merren me pastrimin e parave”.
Nakuçi shton se hetimi i këtyre grupeve është kompetencë e SPAK dhe strukturat e tyre janë të organizuara në mënyrë të detajuar, duke përfshirë operatorë që kryejnë thirrjet, konsulentë, menaxherë dhe specialistë të teknologjisë që administrojnë softuerët dhe sistemet e komunikimit, si dhe persona që përcaktojnë gjuhën e komunikimit me viktimat, si italisht, gjermanisht, spanjisht apo greqisht.











