Zbulohet baza në Durrës që prodhonte drogë sintetike për adoleshentët, në pranga dy vëllezër, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre

Në kuadër të rritjes së sigurisë së nxënësve në shkolla dhe goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike, strukturat e policisë në Durrës finalizuan operacionin e koduar “Shije e hidhur”.
Gjatë operacionit u zbulua një bazë për përpunimin e drogave sintetike, si dhe u godit një grup që prodhonte dhe shpërndante këto lëndë pranë shkollave të mesme.
Në flagrancë u arrestuan dy vëllezër, Ledio dhe Rubin Lemeti, përkatësisht 20 dhe 25 vjeç, të lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim një shtetas 20-vjeçar, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
Sipas hetimeve, këta shtetas kishin krijuar kushtet për përpunimin e lëndëve narkotike sintetike në formë xhelatine (“karamele”), duke organizuar prodhimin, transportin dhe shpërndarjen e tyre, kryesisht tek moshat adoleshente.
Gjatë kontrollit ndaj njërit prej të arrestuarve pranë zonës së shkollave, policia sekuestroi 50 paketime me lëndë narkotike në formë karameleje, me peshë rreth 650 gramë.
Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e tyre në Tiranë u gjetën dhe sekuestruan sasi të tjera lëndësh narkotike, përbërës për prodhimin e tyre, materiale sintetike të gatshme, një peshore elektronike dhe kallëpe plastike për formimin e karameleve.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.











