Rishikimi i praktikës për arrestin në burg/ Mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara, zbardhen diskutimet në sallë

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur për masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.
Pak para nisjes së mbledhjes, prokurori kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se personi në fjalë është nën hetim. Nga ana tjetër, avokati theksoi se çështja ka interes publik, por u shpreh dakord që për pjesën konkrete diskutimi të bëhet pa praninë e mediave.
Pas këtyre qëndrimeve, Kolegjet e Bashkuara u tërhoqën për vendimmarrje, duke vendosur që shqyrtimi të zhvillohet në dy faza: pjesa e parë në praninë e medias dhe pjesa e dytë me dyer të mbyllura.
Tre janë pikat kryesore mbi të cilat pritet të rishikohet vendimi i vitit 2011 për rastin që ka shërbyer si orientim për gjyqtarët. Gjykata e Lartë ka marrë shkas nga qëndrimet e Strasburgut, ku është theksuar se nuk mjafton vetëm dyshimi për të justifikuar arrestin, sidomos kur hetimet vijojnë pa afat, si edhe nga raste të tjera dhe ndryshimet ligjore.
Në seancë pritet parashtrimi i çështjes nga kryetari i Gjykatës së Lartë, ndërsa qëndrimet do të paraqiten nga prokurori dhe avokati lidhur me rastin konkret të një të dyshuari të arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.
Diskutime në sallë:
Prokurori: Çështja e sotme lidhet me dy pika kryesore: njësimin e praktikës dhe çështjen konkrete. Kërkojmë që për çështjen konkrete seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që paraqet. Për njësimin e praktikës, seanca mund të jetë e hapur aq sa lejohet.
Avokati: Jam dakord që për çështjen konkrete diskutimi të zhvillohet me dyer të mbyllura.
I pandehuri është arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.
Kolegjet e Bashkuara, pasi u kthyen nga dhoma e këshillimit, vendosën që seanca të zhvillohet në dy faza: një pjesë e parë publike për unifikimin e praktikës dhe një pjesë e dytë me dyer të mbyllura për çështjen konkrete.
Sipas relacionit të paraqitur, çështja lidhet me një të drejtë themelore të trajtuar nga Kushtetuta. Në tetor 2025, policia ka kryer kontroll në banesën e një shtetasi në zonën e Lezhës, ku është gjetur një sasi lënde narkotike. Prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “arrest në burg”, kërkesë që është pranuar nga gjykata e shkallës së parë.
Më pas, përmes mbrojtësit, i arrestuari ka bërë ankim dhe gjykata e apelit ka vendosur ndryshimin e masës në “arrest në shtëpi”.
Çështja ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë për shkak të nevojës për rishikim të praktikës gjyqësore të unifikuar. Pikat kryesore të diskutimit janë:
- Arsyetimi i caktimit të masës së sigurimit me karakter shtrëngues
- Përshtatja e masës me marzhin e dënimit të veprës
- Mosaplikimi i masës kur i pandehuri paraqet prova pozitive
Vendimi unifikues i vitit 2011 është zbatuar deri më tani nga të gjitha gjykatat, por është vlerësuar se duhet të rishikohet, veçanërisht për mënyrën e përcaktimit dhe zgjedhjes së masës së sigurimit, sidomos asaj “arrest në burg”.











