Ambasadorët e BE dhe Italisë mbështesin studentët shqiptarë në RMV: Kërkesa e tyre për provimin në gjuhën shqipe, plotësisht legjitime

Ambasadori i Bashkimit Europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ambasadori i Italisë kanë dalë në mbrojtje të studentëve shqiptarë në RMV lidhur me kërkesën e tyre për të zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Organizatori i protestës, studenti Mevlan Ademi, ka ndarë qëndrimet e ambasadorëve, të cilët kanë dhënë mesazhe të qarta për protestën e zhvilluar para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai citon fjalët e tyre, sipas të cilave kërkesa e studentëve është plotësisht legjitime.
“Respektimin e plotë të kornizës ligjore në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare”, është theksuar nga njëri prej ambasadorëve, ndërsa tjetri ka vlerësuar se kërkesa e studentëve për ta zhvilluar provimin profesional në të njëjtën gjuhë në të cilën kanë ndjekur studimet është plotësisht e drejtë.
Përmes protestës, studentët kërkuan respektimin e ligjit për gjuhët, i cili u jep të drejtën shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të marrë shërbime në gjuhën amtare, përfshirë edhe procese të rëndësishme si provimi gjyqësor. “Gjuha shqipe nuk negociohet” ishte një nga thirrjet kryesore gjatë protestës.
Për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të kësaj kërkese, studentët kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë dhe kreut të qeverisë. Ata theksuan se do të vazhdojnë të kërkojnë që shteti të respektojë ligjin për gjuhët.
Studentët shqiptarë që studiojnë në gjuhën shqipe e konsiderojnë të vështirë zhvillimin e provimit në gjuhën maqedonase. Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe përfaqësues të opozitës shqiptare në vend.
Ligji për gjuhët në Maqedoninë e Veriut e njeh si zyrtare gjuhën e komuniteteve që përbëjnë mbi 20% të popullsisë, çka përfshin edhe gjuhën shqipe. Kjo është hera e dytë që studentët paraqesin këtë kërkesë, e cila nuk është marrë parasysh nga institucionet me arsyetimin se bie ndesh me kushtetutën.











