“Qeveria asnjë masë për të nxitur kursimin”, Braçe për çmimin e naftës: Puna nga shtëpia do ishte një zgjidhje, transporti publik të subvencionohet

Pas vendimit të Bordit të Transparencës për të ulur me 4 lekë çmimin e naftës, duke u tregtuar me 220 lekë për litër, deputeti i PS shprehet se kjo ishte e pritshme pas armëpushimit në Lindjen e Mesme.
Krahas kësaj, ai ngre një tjetër shqetësim që thotë se ka vërejtur këtë periudhë në Tiranë. Ai tha se edhe pse çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, sheh një numër të shtuar automjetesh në qarkullim.
Shton se qeveria do duhej të kishte ndërhyrë me masa për të lehtësuar këtë “barrë” të rritjes së çmimeve, ku një prej tyre mund të ishte puna nga shtëpia ose transport publik i subvencionuar.
Reagimi:
TIRANA E MADHE #NAFTA
BORDI ULI ÇMIMIN TANI;
NAFTA DO KUSHTOJË 220 LEKË PËR LITËR!
Natyrisht reflekton ARMËPUSHIMIN NË LINDJEN E MESME dhe ANGAZHIMIN E IRANIT PËR TË HAPUR NGUSHTICËN E HORMUZIT!
Ndërkohë më kanë bërë përshtypje dy gjëra;
E para, si ka mundësi që këto ditë me çmime të larta nafte, ka më shumë lëvizje dhe më shumë trafik?
Na mungon shumë një ndjenjë kursimi që mban larg konsumin tonë të përditshëm nga çmimet e karburanteve dhe pranojmë të paguajmë shtrenjtë!
E dyta, më dhemb fakti që ne patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë—Bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës;
Asnjë masë për të nxitur kursimin—më pak ditë pune në javë (u kujdesën festat për këtë), punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar;
Po e lë mënjanë kërkesën për t’u marrë me tregun, konkurrencën dhe evazionin fiskal të rëndë!
Kam disa video këtu që m’i kanë dërguar qytetarë të ndryshëm, ku dëgjohen shitësit në pompë:
“A e do faturën?”
Po mirë, ç’do të thotë kjo? Për çdo shitje me pyetjen “A e do faturën?” dhe pa faturë, ku raportohet, si tatohet?
Nuk di! E kam për shtetin këtë.











