Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës, benzina mbetet e pandryshuar

Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të 24 orëve të fundit si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, të cilat sollën një armëpushim 2-javor, kanë nxitur një rënie të çmimeve të karburanteve jo vetëm në bursa, por edhe në vendin tonë.
Bordi i Transparencës, në mbledhjen e kësaj të mërkure, ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 4 lekë, duke bërë që ky produkt të tregtohet për 220 lekë për litër. Nga ky vendim mbetet i pandryshuar çmimi i benzinës, e cila do të vijojë të tregtohet për 181 lekë për litër.
Një situatë e tillë, sidomos për çmimin e naftës, duhet të ketë një reflektim jo të vonuar edhe për tregun vendas, duke qenë se Shqipëria është një vend importues neto dhe ndryshimet në bursat ndërkombëtare reflektohen relativisht shpejt.
Çmimet e naftës në tregjet botërore ranë ndjeshëm. Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë reference edhe për bursën e Mesdheut, ra nga 110 dollarë për fuçi në 92 dollarë për fuçi, ose rreth 16%. Ndërsa në doganë, treguesi Platts ishte 1570 USD nga 1617 USD që ishte në fund të javës së kaluar.
Rikuperimi i tregjeve nga një konflikt kërkon kohë dhe zakonisht ndikon në një sërë sektorësh të lidhur, duke sjellë rritje kostosh në energji, transport dhe produkte të tjera konsumi.
Çmimet e caktuara nga Bordi i Transparencës për karburantet hyjnë në fuqi nga ora 15:30 e ditës së sotme dhe pritet të reflektohen nga të gjitha pikat e shitjes me pakicë.











