Fluks aplikimesh në Shijak për Paketën e Maleve, bashkia zgjeron hartën për investime

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Paketën e Maleve, qytetarët e Shijakut po tregojnë interes të madh për investime në zonat rurale.
Kërkesa më e madhe vjen nga njësitë administrative Gjepalaj dhe Maminas, ku shumë investitorë synojnë investime agroturistike dhe bujtina.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana, tha se deri tani më janë regjistruar 54 aplikime, 28 prej të cilave brenda zonave të miratuara.
Fluksi i lartë ka shtyrë bashkinë të nisë zgjerimin e zonave përfituese, ndërsa ka ngritur grupe pune për të ndihmuar aplikantët në çdo hap të procesit.
“Ka patur interes të madh do të thoja, sa i takon njësisë administrative Gjepalaj dhe Maminas për Paketën e Maleve.
Deri në këto momente që ne flasim janë 54 aplikime, nga të cilat 28 janë në zonat që janë të vendosura për Paketën e Maleve me vendim të Këshillit Bashkiak dhe të miratuara, ndërsa 26 prej tyre janë jashtë këtyre zonave.
Ky është një indikator, një indicie që ka edhe jashtë zonave të miratuara dhe nisur nga kjo gjë ne kemi marrë prap një iniciativë tjetër për të shtuar hartat në këto dy njësi administrative. Me bërjen e këtyre hartave ne do të kemi 54 aplikime.”
Më tej ai sqaroi se rreth 90% e aplikantëve janë qytetarë që zotërojnë prona dhe synojnë t’i zhvillojnë ato përmes investimeve në turizëm rural siç janë agroturizmet dhe bujtinat.
Investimet e para të pritshme nga aplikantët përfitues arrijnë në rreth 20 milionë euro, një shifër që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe në rritjen e punësimit.
Bashkia e Shijakut synon që përmes Paketës së Maleve të nxisë zhvillimin ekonomik, të rrisë punësimin dhe të kthejë zonat rurale në destinacione të qëndrueshme turistike gjatë gjithë vitit.











