Bordi i Transparencës rrit çmimin e karburantit, nafta shkon 224 lekë për litër: Kemi aplikuar uljen e akcizës

Bordi i Transparencës ka njoftuar sot se çmimi i naftës do të tregtohet me 224 lekë për litër, nga 218 lekë që ishte më parë. Ky çmim, sipas bordit, është përcaktuar duke përfshirë edhe uljen me 20% të akcizës, sipas aktit normativ të miratuar sot nga qeveria. Së bashku me TVSH-në, ulja arrin në 9.5 lekë/litër.
Ndërkohë, benzina do të vijojë të tregtohet me 181 lekë për litër.
NJOFTIMI:
Bordi i Transparencës, në datë 3 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, sipas standardit SSH EN 590, të jetë jo më shumë se 224 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Në zbatim të aktit normativ të miratuar sot, niveli i akcizës u ul me 20%, që së bashku me TVSH përkthehet në një ulje prej 9.5 lek/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë, sipas standardit SSH EN, të jetë jo më shumë se 181 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, më datë 3 Prill, ora 20:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve.
U tërhiqet vëmendja çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.











