Zbardhen vendimet e Qeverisë/ 100 milionë lekë mbështetje për biznesin, tekste falas për nxënësit. Miratohen zonat prioritare në 4 bashki për Paketën e Maleve

Qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme të mbështesë me 100 milionë lekë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Vendimin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në përfundim të mbledhjes së ekzekutivit.
“Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekësh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo tha gjithashtu se me vendim qeverie, administrata do të eliminojë letrat dhe të gjitha praktikat e shkresave do të bëhen online.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi miratimin e vendimit për shpërndarjen e teksteve falas dhe të reja për klasat e katërta dhe të pesta, duke e shtrirë në gjithë arsimin fillor këtë praktikë.
“Me vendimin e sotëm miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat e katërta dhe të pesta të arsimit fillor, të teksteve të reja falas. I kishim falas për klasat e para, të dyta dhe të treta, ndërsa me vendimin e sotëm shtuam dhe me financim të Ministrisë së Arsimit rreth 43 milionë lekë të reja, tekstet falas çdo vit për klasat e katërta dhe të pesta, falas. Bëhet fjalë për rreth 9 mijë nxënës dhe kur flasim për anën financiare, edhe për familjet e tyre që do të përfitojnë tekstet falas, duke mos i pasur barrë në buxhetin e tyre dhe as nuk do t’i marrin të përdorura”, tha Kumbaro.
Sa i përket paketës së maleve, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u shpreh se janë miratuar zonat prioritare në kuadër të Paketës së Maleve në katër bashki.
Sipas tij, bëhet fjalë për bashkitë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë, të cilat i janë bashkuar procesit të identifikimit të zonave me prioritet zhvillimi.
“Numri i aplikimeve në territor është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka kaluar mbi 500, edhe për faktin se çdo javë po shtohen bashki të reja”, u shpreh ai.











