Kritikat e Spiropalit për arrogancë në PS, Kumbaro: Nuk u përgjigjem opinioneve, tani jemi shumë afër Europës

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u pyet për kritikat e Elisa Spiropali.
Ajo u shpreh se nuk kërkon t’i përgjigjet opinioneve, teksa tha se Shqipëria tashmë është më afër se kurrë Bashkimi Europian.
Pyetja: Ish-zyrtarja e lartë e shtetit ka deklaruar se Europa po përdoret nga mazhoranca socialiste më shumë si retorikë sesa si angazhim real. Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësime për mungesë debati brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar klimën si të mbyllur dhe arrogante, si dhe ka kritikuar modelin e lidershipit, duke thënë se favorizohen ata që binden dhe jo domosdoshmërisht ata që e meritojnë. A qëndrojnë këto kritika sipas jush?
“Ju më kërkoni të jap opinion mbi opinionet. Unë po ju jap opinion me fakte. Unë i përkas brezit që bëri përmbysjen me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Unë kam përgjegjësinë e jashtëzakonshme që t’i përkas brezit që tani është shumë afër dhe ka përgjegjësinë politike për ta çuar Shqipërinë në Europë. Kjo matet pikërisht me një punë që qeveria, prej tre mandatesh e pak e bën në mënyrë të matshme. Sloganet dhe dëshirat nuk mjaftojnë. Kjo matet me centimetra, punë dhe dokumentacione dhe unë sapo ju dhashë provën se një ndër këto dokumentacionet është një nga këto vendime që miratuam sot. Monitorim i matshëm që monitorohet jo vetëm nga organet e shtetit shqiptar që e kanë për detyrë, por çdo akt ligjor apo nënligjor kalojnë së pari në filtrin e Komisioni Europian”, tha Kumbaro.











