Pas vrasjes së një bashkëmoshatari në vitin 2013 në ambientet e shkollës, i riu me të shkuar kriminale përfundoi sërish në pranga, këtë herë për armëmbajtje pa leje.

Ditën e sotme, në prangat e policisë ka përfunduar 28-vjeçari Endrin Varaku, i cili u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Sipas të dhënave, ai rezulton me një të shkuar kriminale.
Në foton e mësipërme, Varaku shfaqet në moshën 16-vjeçare, kur u arrestua pas vrasjes së një bashkëmoshatari në ambientet e shkollës. Viktima ishte 17-vjeçari Adriatik Tota, të cilit iu mor jeta me armë zjarri. Të dy ishin nxënës në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti mes dy të miturve, i cili kishte nisur që më herët. Sipas hetimeve të asaj kohe, përplasja mes tyre kishte filluar në gusht të vitit 2013, pas një incidenti në autobus, ku dyshohet se një shtyrje dhe fyerje shkaktuan tensione të vazhdueshme.
Para gjykatës, Varaku deklaroi se armën e kishte gjetur rastësisht pranë lumit Erzen dhe e kishte fshehur në një dollap në ofiçinën ku kryente praktikën. Ditën e ngjarjes, ai e mori armën dhe, pas një debati verbal me Totën, e qëlloi për vdekje.
Në lidhje me këtë rast, u arrestua edhe mësuesi i praktikës, Thoma Llazari, me akuzën për moskallëzim krimi, pasi nuk kishte dhënë informacion për ngjarjen, ndonëse njihte autorin. Krimi ndodhi gjatë orës së praktikës, në ofiçinën e shkollës, ku ndodheshin të dy të rinjtë.











