Këshilli i Ministrave miraton fondin e vitit 2026 për Ministrinë e Bujqësisë, ja sa do të përfitojnë bujqit dhe blegtorët

Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin për bujqësinë dhe zhvillimin rural në buxhetin e vitit 2026. Ky fond synon rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin bujqësor dhe blegtoral, uljen e kostove për fermerët dhe mbështetjen e investimeve në ferma, agropërpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.
Mbështetja përfshin pagesa direkte për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara, si dhe financime për kontroll biologjik të dëmtuesve, certifikim të produkteve dhe zhvillimin e fermave organike.
Pagesat direkte kryesore janë:
- Deri në 12,000 lekë për krerë për lopë dhe mëshqerra (minimum 5 krerë).
- Deri në 1,500 lekë për krerë për dele dhe dhi (minimum 50 krerë).
- Deri në 2,000 lekë për zgjua për bletari (minimum 25 zgjoje).
- Deri në 7,000 lekë për krerë për dosa dhe paradosa (minimum 5 krerë).
- Deri në 10,000 lekë për hektar për kultura bujqësore (minimum 3 ha).
Për sipërfaqe ose numër krerësh mbi një kufi të caktuar, masa e përfitimit përgjysmohet, me përjashtim të subjekteve të bashkëpunimit bujqësor.
Mbështetje të tjera përfshijnë:
- 70% të kostove për kontroll biologjik të dëmtuesve në sera.
- Mbështetje financiare për fermat organike gjatë periudhës së tranzicionit dhe pas certifikimit.
- Deri në 50% të kostove për certifikim sipas standardeve ndërkombëtare (si Global GAP).
- Mbështetje për ripopullimin e peshkut në ujërat e brendshme.
Për investime:
- Deri në 70% financim për fermerët e rinj (maksimum 1 milion lekë).
- Deri në 70% për ndërtim ose rikonstruksion stane (maksimum 3 milionë lekë).
- Deri në 50% për pajisje dhe makineri bujqësore (maksimum 500 mijë lekë).
Fondi total për investime arrin deri në 2.5 miliardë lekë.
Gjithashtu, një pjesë e fondit do të përdoret për pagesat e prapambetura nga vitet e mëparshme.
Në rast se kërkesat tejkalojnë fondin në dispozicion, përfitimet mund të reduktohen proporcionalisht, përveç rasteve të subjekteve të bashkëpunimit bujqësor, të cilat përfitojnë vlerën maksimale.
Kontrolle në terren do të kryhen për të verifikuar përfituesit, dhe çdo subjekt që përfiton padrejtësisht mbi 20% më shumë se ç’duhet, përjashtohet për 3 vite nga skemat mbështetëse.
Përfitues të këtij fondi janë fermerët individualë, persona fizikë, juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.











