PS paraqet katër skenarë për Reformën Territoriale, PD reagon: Ndryshime sipërfaqësore që nuk prekin thelbin e problemit

Bashkëkryetari i PD-së në Komisionin për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, ka reaguar ndaj propozimeve të PS-së për katër skenarët e rishikimit të hartës territoriale.
Në qëndrimin e saj, PD i cilëson këto propozime si sipërfaqësore, duke i krahasuar me “lyerjen e fasadës së një ndërtese me çarje në themele”, ndërsa thekson se ato nuk adresojnë problemet reale të reformës së vitit 2015.
Sipas Boçit, Partia Socialiste ka hedhur në tryezë disa variante pa një analizë të qartë të reformës së mëparshme dhe pa një projekt konkret. Ai thekson se, pavarësisht emërtimeve të ndryshme si “konsolidim funksional”, “decentralizim” apo “forcim qarqesh”, në thelb këto janë variacione të së njëjtës qasje që synon ruajtjen e status quo-së.
PD argumenton se realiteti në vend ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, me tkurrje demografike, zbrazje të zonave rurale dhe thellim të pabarazive ekonomike, çka e bën të papërshtatshme ruajtjen e të njëjtës hartë administrative.
Në reagim thuhet se reforma e vitit 2015 nuk ka arritur të afrojë shërbimet me qytetarët, por përkundrazi ka rritur varësinë e bashkive nga qeveria qendrore, ka dobësuar njësitë më të vogla dhe ka rritur politizimin e administratës vendore.
Në këtë kuadër, PD kundërshton idenë e ruajtjes së 61 bashkive aktuale ose ndryshimeve minimale, duke propozuar rritjen e numrit të tyre si një mënyrë për të rikthyer qeverisjen më pranë komuniteteve, për të rritur llogaridhënien dhe për të nxitur zhvillim më të balancuar.
Sipas Boçit, shmangia e këtij diskutimi nga PS lidhet me interesat politike, pasi një riorganizim më i thellë do të ndikonte në mënyrën e shpërndarjes së pushtetit dhe fondeve.
Në përfundim, PD thekson se një reformë territoriale reale duhet të nisë nga një analizë e sinqertë e dështimeve të deritanishme dhe të fokusohet te forcimi i autonomisë vendore, përfaqësimi i komuniteteve dhe afrimi i shërbimeve me qytetarët, e jo te ruajtja e një modeli që, sipas saj, ka konsumuar veten.











