Shqipëria kryeson rajonin për transformimin politik dhe qeverisjen, sipas raportit të BTI-së

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të shtunë, më 28 mars, të dhëna nga raporti ndërkombëtar Bertelsmann Transformation Index 2026 (BTI), ku Shqipëria renditet në krye të vendeve të Europës Juglindore për disa tregues kyç.
Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria zë vendin e parë në rajon për transformimin politik me 7.70 pikë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Pas tyre renditen Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.
Edhe në aspektin e qeverisjes, Shqipëria kryeson rajonin me 6.71 pikë, duke u pozicionuar përpara vendeve të tjera të Europës Juglindore.
Ndërkohë, në treguesin e transformimit ekonomik, Shqipëria renditet e treta me 7.11 pikë, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, por mbi Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Raporti BTI, i hartuar nga një fondacion ndërkombëtar, konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme globale për cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen. Ai publikohet çdo dy vjet dhe përfshin analizën e 137 vendeve në mbarë botën.
Vlerësimi mbështetet në mijëra faqe raportesh të detajuara për secilin vend, të përgatitura nga qindra ekspertë nga universitete dhe qendra kërkimore në mbi 120 shtete. Ky edicion mbulon periudhën nga 1 shkurti 2023 deri më 31 janar 2025 dhe ofron një pasqyrë të plotë mbi performancën e qeverisjes dhe proceset e transformimit politik e ekonomik.











