Një marrëveshje mbrojtjeje mes Ukrainës dhe Katarit është nënshkruar këtë të shtunë, duke synuar forcimin e bashkëpunimit kundër sulmeve me raketa dhe dronë.

Marrëveshja përfshin bashkëpunim në fushat teknologjike, zhvillimin e investimeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e ekspertizës në luftën kundër raketave dhe sistemeve ajrore pa pilot, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Katarit në një deklaratë gjatë vizitës së Zelenskyt.
Presidenti ukrainas theksoi se synon të zhvillojë marrëdhënie afatgjata me vendet e Lindjes së Mesme, duke folur me gazetarët gjatë vizitës në Katar, pjesë e fundit e turneut të tij rajonal. Ai shtoi se këto marrëdhënie përfshijnë prodhim të përbashkët, bashkëpunim në sektorin e energjisë, investime dhe shkëmbim përvojash në fushëbetejë.
“Ne nuk kërkojmë thjesht shitje. Synojmë marrëdhënie sistemike, ku eksportuesit fitojnë të ardhura, ndërsa Ukraina merr fonde të mjaftueshme për të zhvilluar prodhimin vendas,” deklaroi Zelensky.
Ai gjithashtu bëri me dije se Kievi ka nënshkruar tashmë një marrëveshje 10-vjeçare për sigurinë me Arabinë Saudite dhe një tjetër 10-vjeçare me Katarin, ndërsa një marrëveshje e ngjashme me Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të finalizohet në ditët e ardhshme.











