Drogë në jetën e natës, policia godet ish-Bllokun: 9 punonjës dhe administratorë të arrestuar.

Pas një hetimi disa mujor, të zhvilluar me metoda speciale, strukturat e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Night Clubs”.
Gjatë këtij operacioni u identifikuan 11 persona, mes tyre punonjës dhe administratorë të lokaleve të natës në zonën e ish-Bllokut, të cilët dyshohet se merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike brenda ambienteve të bizneseve ku punonin.
Gjykata ka caktuar masa sigurie për të gjithë të dyshuarit, ku 9 prej tyre janë arrestuar dhe ndodhen në burg, ndërsa dy të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Ndërkohë, dy persona të përfshirë në këtë aktivitet janë ndaluar më herët gjatë hetimeve.
Po ashtu, u vu në pranga edhe një 49-vjeçar, i cili kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Nga kontrollet e ushtruara, policia sekuestroi rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për komunikim në këtë aktivitet të paligjshëm.
Hetimet tregojnë se të arrestuarit shpërndanin droga të forta në brendësi të klubeve të natës, ndërsa gjatë kontrolleve fizike u janë gjetur doza të gatshme për shitje.
Gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilëve iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme ekstazie. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe puna vijon për kapjen e tyre.
Dosja i është kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.











