Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Zgjidhja e vetme, dorëheqja e Ramës

Partia Demokratike ka caktuar datën 17 prill për zhvillimin e protestës së radhës kombëtare. Lajmi u bë i ditur nga kreu i saj, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ndërsa theksoi se detajet e organizimit do të publikohen në ditët në vijim.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, duke e cilësuar këtë si të vetmen zgjidhje për situatën politike në vend. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 17 prillit në Tiranë.
Lideri i opozitës komentoi gjithashtu rritjen e çmimeve të karburanteve, duke deklaruar se Partia Demokratike ka përgatitur një paketë fiskale që synon uljen e çmimit të naftës në nivel të ngjashëm me vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sipas tij, kjo paketë do të prezantohet së shpejti nga ekspertët dhe deputetët e opozitës.
Në vijim, Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë, duke pretenduar se institucionet janë vënë në funksion të mbrojtjes së pushtetit. Ai theksoi se opozita mbetet e vendosur për të vijuar aksionin politik dhe për të kërkuar ndryshim përmes reagimit qytetar.











