Shqiptarët, ndër qytetarët që përfituan më shumë shtetësi evropiane në 2024

Dy vite më parë, gjatë vitit 2024, rreth 1.2 milionë persona morën shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian ku jetonin. Krahasuar me vitin 2023, kjo shifër shënon një rritje prej 11.6%.

Ndërkohë, në krahasim me vitin 2014, rritja arrin në 54.5%.
Pjesa më e madhe e shtetësive u dha nga Gjermania, e cila përbënte 24.5% të totalit në BE, e ndjekur nga Spanja me 21.4% dhe Italia me 18.5%.
Shumica e përfituesve ishin persona me origjinë nga vende jashtë Bashkimit Evropian, duke përbërë rreth 88% të totalit.
Tre grupet kryesore që përfituan këto shtetësi ishin sirianët, marokenët dhe shqiptarët.
Sirianët kryesonin listën me 110,110 shtetësi të reja të dhëna. Në vend të dytë renditeshin shtetasit marokenë me 97,100 shtetësi, ndërsa në vendin e tretë shqiptarët me rreth 48,000 të tilla.
Sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2024, Suedia regjistroi nivelin më të lartë të natyralizimit në BE, me 7.5 shtetësi për çdo 100 banorë jo-vendas. Pas saj vijnë Italia me 4.1, si dhe Spanja dhe Holanda me nga 3.9 secila.
Në anën tjetër, normat më të ulëta të natyralizimit u shënuan në Lituani me 0.1, si dhe në Bullgari dhe Estoni me nga 0.3 secila.












