Mbyllet kapitulli “Sylvinho” me Shqipërinë pas dështimit në Play-off

Edhe pse kontrata e tij përfundon në korrik, duket se epoka e Sylvinhos në stolin e Shqipërisë mori fund që mbrëmjen e djeshme në stadiumin e Varshavës.
Humbja 2–1 ndaj Polonisë nuk i dha fund vetëm ëndrrës së kuqezinjve për Botërorin 2026, por sinjalizoi edhe mbylljen e aventurës së trajnerit brazilian në krye të ekipit.
Sylvinho mori drejtimin e Kombëtares në fillim të vitit 2023. Kontrata e tij fillestare përfundonte në dhjetor 2025, por Federata Shqiptare e Futbollit vendosi ta zgjasë edhe me 6 muaj, pas arritjes së Play Off-it për Botërorin 2026, me synimin për të shkuar sa më larg.
Megjithatë, pas humbjes ndaj Polonisë, një tjetër rinovim duket shumë i vështirë. Largimi i tij tashmë shihet si i pashmangshëm.
Trajneri pritet të jetë në stol edhe për ndeshjen e radhës kundër Ukrainës, që do të zhvillohet të martën, më 31 mars, një sfidë që nuk pritet të ndikojë në të ardhmen e tij.

Zyrtarisht, bashkëpunimi mes palëve do të mbyllet në korrik, ndërsa në qershor Kombëtarja ka në program edhe dy ndeshje miqësore.
Këto pritet të jenë edhe momentet e fundit të Sylvinhos në krye të kuqezinjve, siç la të kuptohet edhe vetë në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Varshavë. Më pas, Federata do të fokusohet te një projekt i ri, me një trajner që do të nisë përgatitjet për eliminatoret e Europianit 2028.
Pavarësisht përfundimit jo të dëshiruar në këto kualifikuese, periudha e Sylvinhos do të kujtohet për rritjen e imazhit të ekipit dhe për kualifikimin e dytë në Kampionatin Europian, atë të Gjermanisë 2024. Megjithatë, objektivi i madh i Botërorit mbetet ende i paarritur dhe pritet të jetë sfida kryesore për pasardhësin e tij.











