Çmimet e karburantit, Ibrahimaj: Tregu do jetë nën vëzhgim të pandërprerë, zero tolerancë për abuzime


Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot, më 27 mars, gjatë një konference për mediat, se Bordi i Transparencës do të vijojë funksionimin deri në stabilizimin e çmimeve të karburanteve në treg.
Ajo bëri të ditur se qeveria do të vendosë çmime tavan për naftën, benzinën dhe gazin, me synimin për të mbrojtur konsumatorët nga çdo formë abuzimi. Sipas saj, në mbledhjen e fundit të Bordit, ku morën pjesë edhe tregtarët kryesorë të karburanteve, u përcaktuan çmimet maksimale të tregtimit bazuar në një formulë të aplikuar që prej vitit 2022. Kjo formulë përfshin kostot e importit dhe marzhe minimale fitimi për shitësit me shumicë dhe pakicë.
Ibrahimaj theksoi se institucionet do të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme tregun dhe çmimet, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë abuzim ndaj qytetarëve. Ajo shtoi se do të forcohet edhe mbikëqyrja për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht në kushtet e ndikimeve nga zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në përfundim, ministrja nënvizoi se mirëqenia ekonomike e familjeve dhe bizneseve shqiptare mbetet prioritet, ndërsa Bordi i Transparencës do të vijojë të jetë aktiv deri në rikthimin e çmimeve në nivele të qëndrueshme, të ngjashme me ato para krizës.











