Përplasje e fortë në Rrugën e Kombit, 6 persona të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të enjte, më 26 mars, në Rrugën e Kombit, në segmentin Milot–Rrëshen, pranë urës së Zogut.
Nga përplasja mes një automjeti tip “Mini Cooper” dhe një mjeti tjetër tip “Golf”, janë plagosur gjashtë persona. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Rrëshenit për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në aksin rrugor “Milot–Morinë”, një automjet i drejtuar nga shtetasi A. Ll. është përplasur me një tjetër mjet që drejtohej nga një shtetas i huaj. Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar të dy drejtuesit e mjeteve si dhe katër pasagjerë, të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga pamjet e siguruara në vendngjarje, shihet se si për shkak të goditjes së fortë, automjeti tip “Mini Cooper” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.











