“Një fazë e re për sipërmarrjen”/ Rama në MatchMaker Albania: Shqipëria në hap me zhvillimet globale


Kryeministri Edi Rama foli në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, një platformë biznesi që bashkon investitorë ndërkombëtarë, ku u ndal te zhvillimet dhe perspektiva ekonomike e vendit.
Ai theksoi se Shqipëria është një destinacion që duhet vizituar, duke nënvizuar progresin e vazhdueshëm të saj. Rama përmendi gjithashtu se roboti që hapi aktivitetin është prodhim shqiptar, rezultat i punës së një grupi të rinjsh të talentuar, të cilët pritet të kontribuojnë më tej në zhvillimin e industrisë, përfshirë edhe atë ushtarake.
Duke iu referuar Panairit Botëror në Berlin, ai u shpreh se Shqipëria nuk është më thjesht një premtim për të ardhmen, por një vend që duhet parë dhe ku duhet investuar sot. Ai theksoi se vendi është i gatshëm të mirëpresë investitorë, të ndërtojë ekosisteme të favorshme dhe të lidhë bizneset me mundësi të reja zhvillimi.
Rama vlerësoi gjithashtu rolin e agjencisë AIDA në organizimin e këtij eventi, duke e cilësuar MatchMaker Albania si një histori suksesi në rritje.
Në vijim, ai evidentoi katër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Së pari, turizmin dhe projektet urbane moderne, ku Shqipëria ka kaluar nga një destinacion sezonal në një treg me oferta të larmishme. Së dyti, bujqësinë inteligjente, e cila po njeh rritje të shpejtë dhe po zgjeron eksportet drejt rreth 100 vendeve.
Shtylla e tretë lidhet me zhvillimin digjital, përfshirë teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike, fusha ku Shqipëria po avancon me ritme të shpejta. Ndërsa së fundi, ai u ndal te sektori energjetik, i cili po kalon drejt diversifikimit dhe përdorimit të burimeve të rinovueshme.
Në përfundim, Rama u shpreh se Shqipëria synon të arrijë sovranitetin energjetik brenda kësaj dekade, duke garantuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe të pavarur në këtë sektor.











